“Viti 2025 pritet të paraqesë sfida të reja”, ministri Hasani: Projekt-buxheti për shërbimin e jashtëm 3.8 miliardë lekë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha se projektbuxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve, buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë.
Në prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025” për MEPJ në Komisionin për Politikën e Jashtme, ministri Hasani deklaroi se viti 2024 ka shënuar përparime të rëndësishme në politikën e jashtme të Shqipërisë, teksa renditi si një ngjarje historike hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian
Ministri Hasani: Viti që po mbyllim ka shënuar përparime të rëndësishme për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një ngjarje historike që ka pasur ndikim të thellë në Shërbimin e Jashtëm Shqiptar të vendit tonë. Gjatë këtij viti, ne kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare, duke mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo në botë. Këto përpjekje kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti dhe si një vend me potenciale për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.
Për të mbështetur këto nisma, ne kemi rritur praninë tonë diplomatike në rajon dhe në vende të tjera, duke hapur ambasadat e reja në Kiev dhe Baku, si dhe konsullatat e përgjithshme në Strugë dhe Ulqin. Këto hapa janë të rëndësishëm për mbështetje të qytetarëve tanë dhe për avancimin e interesave të Shqipërisë në arenën globale.
Viti 2025 pritet të paraqesë sfida të reja për Shërbimin e Jashtëm. Në përputhje me politikat tona , Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hartuar një projekt-buxhet prej 3.8 miliardë lekësh, buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për Shërbimin e Jashtëm. Ky buxhet do të financojë aktivitete të rëndësishme që lidhen me forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe partnerët strategjikë, angazhimin në nisma rajonale dhe forcimin e diplomacisë ekonomike dhe kulturore. /vizionplus.tv




