Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi sekuestron e vilës së Monika Kryemadhit.
Megjithatë ndaj vilës së të ëmës, Fatime Kryemadhi, Apeli mori vendim për shuarjen e sekuestros.
Pasi la Gjykatën, deputetja tha se betejën do ta vijojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, e më pas edhe në Strasburg.
“Akoma nuk ka një zgjidhje për inceneratorin e Tiranës, është një hakmarrje. Është një beteje ligjore që do durim. Të dyja banesat janë të përfituara në mënyrë të ligjshme, e pranoi edhe prokurori. Ka edhe një avantazh që unë futem një çik më pa radhë se mamaja ime në Gjykatën e Strasburgut. Në raste të tilla prokurori zbaton vendimin e gjykatës. Kishim vetëm shpalljen, prokurori kërkoi që të mos ndryshohej vendimi”, tha Kryemadhi.
Deputetja Monika Kryemadhi u vu nën masën e sigurisë detyrim paraqitje më 21 tetor nga Gjykata e Posaçme.
SPAK e akuzon se në bashkëpunim me ish- bashkëshortin e saj, Ilir Meta, ka kryer Korrupsion, Pastrim Parash dhe Mosdeklarim të Ardhurash. Ish- presidenti, Meta prej asaj dite është izoluar në burg./vizionplus.tv





