Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, e njohur ndryshe si Vila 31 në zonën e ish-Bllokut, është shndërruar tashmë në një hapësirë artistike dedikuar artit dhe kulturës.
E hapur këtë të enjte, kjo godinë do të presë jo vetëm artistë shqiptarë, por edhe nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të shprehen përmes gjuhës së artit.
“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj, shqiptarë, të rajonit dhe nga e gjithë bota, për t’u takuar së bashku në një hapësirë të përbashkët. Është një eksperiencë që unë e kam kaluar në qendrën ndërkombëtare të arteve në Paris dhe, kur erdha këtu, më kujtua se atje më vunë një gjobë sepse kisha bërë pis parketin. Ju duhet të mendoni për gjoba të tilla,” tha Rama.
Zërave kritikë për ruajtjen e historisë së kësaj godine dhe evidentimin e bëmave që ish-diktatori Hoxha ka kryer gjatë kohës së komunizmit, Rama iu përgjigj kështu:
“Çfarëdolloj uji t’i japësh gomarit, i ke dhënë të gabuarin. Ne kemi bërë këtë zgjedhje sepse ka ardhur si rezultat i një kohe shumë të gjatë reflektimi. Kjo hapësirë do të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do t’i kishte tmerr për t’i parë. Kjo ka qenë motoja shtytëse në mendjen tonë: çfarëdo që të bëjmë aty, të jetë një gjë që Enver Hoxha të rrotullohet në varr nga sikleti. E kuptoj që për ju është e vështirë ta lexoni këtë që sapo thashë, por, nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën, ishte çdo shprehje e asaj që ata e quanin degjenerimi modernist. Kjo do të jetë një shtëpi e degjenerimit modernist,” shtoi kryeministri.
Kthimi i Vilës 31 në një rezidencë arti vjen si bashkëpunim i shtetit shqiptar me atë francez, duke e kthyer Tiranën në një pjesë të rrjetit të platformave kryesore evropiane për krijimin e artit bashkëkohor./vizionplus.tv