Viktima e parë në Kosovë/ Koronavirusi i merr jetën të moshuarit 82-vjeçar
Kosova ka shënuar viktimën e parë nga koronavirusi. Një 82-vjeçar nga Podujeva, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera, ka ndërruar jetë këtë të diel në Klinikën Infektive në Prishtinë. Por 82 vjeçari, nuk ka qenë i vetmi person i infektuar me koronavirus në familjen e tij. Dy fëmijët e tij, gjithashtu janë të infektuar.
Ndërkohë në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se numri i të prekurve nga virusi ka shkuar në 31.
Presidenti Hashim Thaçi me anë të një postimi në facebook, ku shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimës së parë nga Kovid 19, tha se “institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme.
Greqia ndërkohë ka raportuar se 3 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes në vendin fqinj, duke e rritur numrin e viktimave në 13. Ndërsa në 24 orët e fundit, raportohet se numri total i të prekurve me covid 19, është rritur në 530, 18 prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën.
Në fqinjin tjetër, në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri teknik Oliver Spasovski njoftoi se asnjë qytetar nuk do të ketë mundësi të lëvizë nga ora 21 deri në orën 6 të mëngjesit. Masat do të hyjnë në fuqi që nga kjo e dielë, deri në një njoftim të dytë. Në Maqedoninë e Veriut 85 persona janë infetkuar me sëmundjen.
Edhe Serbia shënoi viktimën e dytë nga koronavirusi. Ajo është një e moshuar 92 vjeç, e cila vuante edhe nga sëmundje të tjera. Serbia ka raportuar 188 raste të prekura nga kovid 19. Kryeministri Aleksandër Vuçiç, ndërkohë priti një ekip të specializuar mjekësor nga Kina, për të luftuar virusin. Beogradi Zyrtar ndërkohë ka shtrënguar masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.




