Tregjet globale vijuan luhatjet e mëdha edhe këtë të martë ndërsa investitorët po përpiqen të kuptojnë ndikimin dhe të përshtaten me tarifat e shpallura nga administrata amerikane një javë më parë.
Pas katër ditësh rënie të vazhdueshme, tregjet europiane panë një rikuperim të lehtë sot. Bursa e Londrës shënoi një rritje me rreth 1.2 %, ajo e Frankfurtit në Gjermani me 1.3% ndërsa bursa e Francës me 1.8%.
Zhvillimet e fundit vijnë pas takimit të një dite më parë të Këshillit Europian i cili propozoi kundër-tarifa prej 25% për një sërë mallrash amerikane, megjithëse vendet e bllokut mbeten të hapur për bisedime.
Një rikuperim i lehtë u ndje edhe në tregjet aziatike, ndërsa ato amerikane mbeten të paqëndrueshme me disa që pësuan rritje fare të lehtë dhe disa të tjerë që vazhduan rënien.
Pavarësisht ndryshimit të vogël të vlerave, niveli më i lartë i pasigurisë mbetet në Azi me qeverinë kineze që ka deklaruar se do të luftojë deri në fund nëse SHBA vazhdon të përshkallëzojë vendimet ekonomike.
Ambasada kineze në SHBA: Ne kemi theksuar më shumë se një herë se presioni ose kërcënimi ndaj Kinës nuk është mënyra e duhur për t’u angazhuar me ne. Kina do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime.
Nga ana tjetër edhe tonet e Trump ndaj Pekinit kanë qenë të ashpra.
Administrata amerikane do të zhvillojë bisedime me Japoninë, një nga aleatët më të ngushtë të Uashingtonit në Azi, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë edhe disa vende të tjera janë gati për të negociuar në këmbim të rikthimit të tarifave në gjendjen fillestare./vizionplus.tv





