“Vij nga një përvojë si gjimnazist protestues”, pedagogu Jakaj: Studentët na mësuan të kërkojmë të drejtat tona, duhet të jemi krah tyre
Mjeku dhe pedagogu Dr. Besnik Jakaj, i ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion”, me moderatore Fjodora Fjorën, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e studentëve dhe për angazhimin e pedagogëve në krah të tyre. Gjatë bisedës, ai u ndal te rëndësia e protestave në një shoqëri demokratike, e drejta për të kërkuar llogari nga institucionet dhe përgjegjësia e universiteteve për të mbështetur të rinjtë.
“Pedagogët e kishin detyrim moral dhe qytetar. Sot sheshi është auditori real ku shoqëria, studentët, pedagogët dhe akademikët marrin leksione. Në një shoqëri demokratike, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut janë të panegociueshme”, u shpreh Jakaj, duke theksuar se protesta është një formë e rëndësishme e reagimit qytetar dhe e mbrojtjes së të drejtave.
Duke komentuar situatën gjatë protestave, pedagogu kundërshtoi çdo formë dhune dhe ngriti shqetësime për mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit. Sipas tij, reagimi policor në disa raste ka qenë joproporcional, ndërsa u bëri thirrje strukturave ligjzbatuese dhe prokurorisë që të hetojnë me përgjegjësi çdo incident. Jakaj theksoi se, pavarësisht rrethanave, forcat e rendit duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të respektojnë dinjitetin dhe integritetin fizik të qytetarëve.
Në përfundim, Jakaj vlerësoi angazhimin e studentëve, duke e cilësuar protestën një mesazh për rëndësinë e lirive dhe të drejtave qytetare. “Ata na kanë mësuar se duhet të kërkojmë liritë dhe të drejtat tona. Kam shumë respekt për këtë brez”, deklaroi pedagogu, duke nënvizuar se institucionet duhet të japin llogari dhe se dialogu me studentët është i rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjeve në interes të tyre dhe të shoqërisë.
/vizionplus.tv




