Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj ka siguruar momentin kur biznesmeni Eduart Reçi vritet me një plumb në kokë.
Policia ka arrestuar si autorë të dyshuar të ngjarjes vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka.
Dyshohet se pikërisht Shkëlqim Duka, 48 vjeç, me detyrë oficer policie, ka qëlluar nga distanca dhe ka ekzekutuar Reçin.
Ditën e sotme Gjykata Penale ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Duka. Shkëlqim Duka ka kyçur gojën dhe nuk ka dhënë asnjë deklarim. I vëllai, Floriani deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen. Vrasja e biznesmenit ndodhi më 13 nëntor 2024 në Rrugën e Elbasanit, ndërsa arrestimi i vëllezërve Duka u bë më 24 nëntor.
Policia gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit, gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florian dhe Shkëlqim Duka.
Gjashtë ditë “roje” për të vrarë Reçin
Vizion Plus raportoi ditën e djeshme se Reçi u ndoq për 6 ditë nga autori i dyshuar i vrasjes, Shkëlqim Duka.
Përmes pamjeve filmike, është vërtetuar se 48-vjeçari e ka ruajtur për 6 ditë Eduart Reçin.
Nga data 8 nëntor deri më 13 nëntor, natën e krimit, Shkëlqim Duka ka qëndruar i fshehur në një shkallë metalike të një hoteli ngjitur me lokalin e tij ku kishte pamje vizuale nga oborri i pallatit të Eduart Reçit.
Gjithashtu, përmes pamjeve filmike, policia ka parë një person i cili pozicionohet në pozicion qitje me një armë në dukje me dylbi.
Nga data 8 deri në 13 nëntor, Shkëlqim Duka e ka pritur Eduart Reçin nga ora 7 deri në 11 të darkës për 6 ditë me radhë. Vetëm në datën 11 nuk e ka ruajtur pasi ka qenë në punë në detyrë.
Policia ka dyshime që edhe më datën 8 nëntor autori ka qëlluar por plumbi nuk ka shënjestruar objektivin./vizionplus.tv




