Subscribe

Policia e Shtetit e ka konsideruar “lajm të rremë” dhe “skandaloze” reportazhin e transmetuar mbrëmjen e të hënës në televizionin italian “Rai3”, mbi kultivimin e kanabisit në Shqipëri.

Në njoftimin e publikuar thuhet se Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar prej partnerëve italianë saktësimin e këtij informacioni, ndërsa shton se këta të fundit kanë konfirmuar se ky lajm nuk bazohet në asnjë burim të drejtpërdrejtë informacioni të verifikuar.

“Në emër të të gjithë trupave tona të angazhuara në ketë betejë të shtetit dhe ligjit me antishtetin dhe antiligjin, ne shprehim keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime për lajmin e rremë të transmetuar mbrëmë nga kanali prestigjioz RAI 3, ku dezinformimi mbi kultivimin e kanabisit në Shqipëri ishte skandaloz. Drejtori i Përgjithshëm e ka përcjellë menjëherë shqetësimin e krijuar nga ky lajm tek partneret italianë dhe ka kërkuar prej tyre saktësimin e këtij informacioni pa asnjë bazë, i cili ka krijuar terren për spekulime politike dhe mediatike edhe në Shqipëri.”

Sipas Policisë së Shtetit, partnerët italianë janë shprehur të habitur me lajmin në fjalë dhe kanë konfirmuar se nuk bazohet në asnjë burim të drejtpërdrejtë informacioni të verifikuar.

“Duke e garantuar opinionin publik shqiptar se Policia e Shtetit ka vijuar pa lëkundje dhe do të vijojë vendosmërisht luftën kundër krimit e trafiqeve, për ta bërë Shqipërinë një vend me nivele gjithnjë e më pranë mesatares europiane në aspektin e statistikave të kriminalitetit të çdo lloji, ne mbetemi në pritje të një përgënjeshtrimi zyrtar nga autoritetet përkatëse italiane, të cilave përfitojmë nga rasti t’u shprehim konsideratën tonë më të lartë për mbështetjen dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit, ku pastrimi i Shqipërisë nga fenomeni i kultivimit masiv të kanabisit është tanimë një histori e certifikuar suksesi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *