Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve, Orjola Pampuri përcolli mesazhin se vetëflijimi nuk e zgjidh problemin. Ish-deputetja demokrate, në “Facebook”, vlerësoi se shëndeti mendor është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të lihet pas turpi për të kërkuar ndihmë kur vuan nga depresioni apo ankthi.

 

 

“Vetëvrasjet nuk zgjidhin problemin. Sot në Ditën botërore të parandalimit të vetëvrsajeve, dua të rikujtoj rëndësinë e shëndetit mendor si një  prioritet, i cili dhe duhet të vlerësohet e trajtohet si i tillë. Studime të shumta në mbarë botën, referojnë që depresioni, skizofrenia, crregullimet e ankthit janë patologjitë të cilat kanë qënë shkakatarët kryesorë të tentativave për vetëvrasje apo të vetëvrasjeve. Sot nuk duhet të jetë me tabu të referojmë një mik, një të afërm apo veten tek specialistët përkatës. Të kërkosh ndihmë nuk është turp, por është thjesht dëshirë për të jetuar. Jeta është e shtrenjtë, dhe secili prej nesh duhet të gjejë brenda vetes vullnetin për të jetuar, edhe nëse nuk sheh më asnjë arsye, edhe nëse ka humbur cdo shpresë, edhe nëse nuk sheh asnjë dritë në fund të tunelit, ka gjithnjë brenda nesh një arsye për të jetuar, ndaj këtë duhet ta gjejmë vetë por edhe me ndihmën e specialistëve të shëndetit mendor.”

 

Nga shteti, Pampuri kërkoi që të ngrihen qendra ku të mund të trajtohen personat që nuk gëzojnë një shëndet të mirë mendor. Sipas saj, nuk duhen vetëm spitalet psikiatrike, por edhe ndihmë për psikoterapi.

 

“Në kuadër të kësaj dite dua të rikujtoj nevojën që ka vendi ynë për qëndra rezidenciale, dhe jo vetem për spitale psikiatrike, nevojën për promocion të vazhdueshëm për rëndësinë e shëndetit mendor dhe qëndra referimi ku në rastet kur personat nuk përballojnë financiarisht psikoteratinë, kjo të mbulohet nga shteti. Por deri tani asnjëra nga këto nuk ështe marrë seriozisht. Puna e psikologëve në ambjentet e qëndrave spitalore është e vyer, roli dhe prania e tyre është e domosdoshme. Shëndeti mendor është prioritet, të punojmë sot që të kemi një shoqëri të shëndoshë dhe të sigurtë nesër.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *