Votat e diasporës po rezultojnë vendimtare në përmbylljen e rezultatit zgjedhor në Kosovë. Numërimi i deritanishëm ka sjellë një rritje të ndjeshme për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka fituar katër mandate shtesë.
Pas numërimit të votave brenda Kosovës, partia e kryeministrit në detyrë Albin Kurti kishte siguruar 48 mandate, duke mbetur larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme. Megjithatë, mbështetja e lartë e ardhur nga diaspora ka ndryshuar ndarjen e mandateve, duke e çuar Vetëvendosjen në 52 te tilla.
Ky rezultat e forcon ndjeshëm pozitën e partisë më të madhe në vend dhe i jep asaj një avantazh të rëndësishëm në përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja. Votat e diasporës kanë konfirmuar edhe një herë peshën e madhe që mërgata shqiptare ka në proceset zgjedhore të Kosovës.
Procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur plotësisht, pasi mbeten për t’u numëruar dhe verifikuar edhe vota të tjera përpara certifikimit përfundimtar të rezultatit.
Megjithatë, trendi i krijuar deri tani e vendos Vetëvendosjen në një pozitë më të favorshme politike, ndërsa vëmendja tashmë po zhvendoset te hapat që do të çojnë në formimin e qeverisë së re dhe konstituimin e institucioneve.





