Subscribe

Edhe njëherë Prishtina zyrtare këmbëngul se nisma “Ballkani i hapur” nuk i shërben bashkëpunimit rajonal për aq kohë sa nuk është pranuar nga tre shtete. Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila ka shtuar gjithashtu se iniciativa është e dëmshme pasi Serbia është bosht i saj.

 

MIMOZA KUSARI LILA

SHEFE E GRUPIT PARLAMENTAR, LVV

“Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm. Konsiderojmë që shumë më shumë fokus duhet t’i jepet pengesave të deritashme që janë bërë sesa iluzioneve se mund të ndryshojë i njëjti shtet në raport me ne ose në raport me shtetet e tjera në Ballkan. Nuk jemi i vetmi shtet që refuzon ‘Open Balkans’. Prandaj, nuk mund të quhet si i tillë derisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojnë iniciativën.”

 

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje përsëriti qëndrimin se Kosova nuk do të ulet në një tryezë me Shqipërinë për këtë nismë, e cila nuk i cënon raportet mes dy shteteve.

 

“Sido që të jenë nismat apo politikat ditore, raportet e Kosovës me Shqipërinë mbeten më të vecantat, me kryeministrin Rama i cili njëanshëm bashkëpunoi me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk do të vazhdohet biseda për këtë ide e cila në Kosovë është kundërshtuar pa dallim.”

 

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në fudn të muajit që lamë pas, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri Edi Rama, homologu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *