Prej 10 ditësh në qarkun e Korçës nuk ka asnjë rast të ri COVID-19, ndërkohë që numri i të shëruarve ka shkuar në18, çka do të thotë se aktualisht ka vetëm 1 të sëmurë aktiv me koronavirus.

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë njësive të kujdesit shëndetësor të të gjitha bashkitë e qarku.

Nga Korça gjatë 24 orëve të fundit është dërguar vetëm një tampon për një rast të dyshuar, përgjigja e të cilit ka qenë negative, ndërsa nga të gjitha bashkitë e tjera të qarkut juglindor nuk ka pasur asnjë të dyshuar dhe për pasojë nuk është dërguar asnjë tampon.

Burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë konfirmuan se personi i vetëm i sëmurë aktiv COVID-19 ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore në spitalin Shefqet Ndroqi në kryeqytet.

Ndërkohë në të gjithë qarkun të gjithë personat e prekur nga koronavirusi janë të shëruar tashmë në banesat e tyre duke përfunduar edhe 14 ditë të tjera karantinë, çka ka qenë një masë e domosdoshme e përcaktuar nga specialistët.

Në qytetin e Korçës dita e sotme ka qenë thuajse normale sa i takon qarkullimit të mjeteve dhe kalimtarëve.

Mungesa e rasteve të reja me koronavirus prej 10 ditësh duket se i ka qetësuar qytetarët, të cilët shihen të qarkullojnë normalisht nëpër rrugë e bulevarde, ndërsa shumica e tyre nuk përdorin as maska e doreza.

Të tjerë qytetarë shihen të grumbulluar duke biseduar  ndërsa pranë pikave të shërbimit ata vijojnë të mbajnë radhën, por në disa raste mungon distancimi fizik mes tyre, çka mund të rrisë rrezikun për përhapjen e koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *