Përveç rrezikut nga zjarret gjatë verës, efektivët e shërbimit zjarrfikës në Shkodër përballen çdo ditë me vështirësi serioze në qarkullimin brenda qytetit.
Parkimet e gabuara, bllokimi i rrugëve nga objekte të paligjshme, hekura apo elementë të tjerë pengues hasen shpesh në rrugët dhe rrugicat e Shkodrës, duke rrezikuar ndjeshëm ndërhyrjen në kohë.
Bashkia Shkodër ka ngritur një grup pune për të evidentuar të gjitha pikat problematike në pesë rajonet e qytetit.
Deri tani janë identifikuar mbi 35 pika kritike që pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve në rast zjarri.
“Është e domosdoshme që këto pika të përfshihen në aksionin për lirimin e hapësirave publike, bazuar në planin e përbashkët të miratuar nga Bashkia dhe PMNZSH”, tha Agim Ponari, drejtor i PMNZSH Shkodër.
Pamjet tregojnë qartë pengesat që krijohen nga zënia e hapësirave publike, situata që, në rast urgjence, mund të rezultojnë fatale, si për ndërhyrjen ndaj zjarreve, ashtu edhe për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.
Fatmirësisht, deri më tani nuk janë regjistruar raste me pasoja fatale, por për zjarrfikësit kjo është një nga ndërhyrjet më të domosdoshme për zgjidhjen e një problematike që prej më shumë se 30 vitesh vazhdon të mbetet e pazgjidhur në Shkodër./vizionplus.tv





