“Vendosëm të ishim zëri i kërkesave të protestës së studentëve”, Berisha flet pas seancës plenare: Parlament i krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar jashtë Kuvendit pas seancës plenare të shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Berisha deklaroi se deputetët e opozitës vendosën të bëhen zëri i kërkesave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilët prej ditësh protestojnë në Tiranë. Ai e cilësoi Kuvendin si “parlamentin e krimit” dhe kërkoi përfundimin e sistemit aktual të qeverisjes.
“Deputetët e opozitës vendosën të jenë sot zëri i kërkesave të protestës së studentëve, vullnetit të studentëve dhe gjimnazistëve. Ky është parlamenti i krimit dhe ky sistem duhet të marrë fund një minutë e më parë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar, duke e cilësuar Shqipërinë si një “narkoshtet” dhe duke pretenduar se institucionet janë kthyer në mburojë të abuzimeve dhe korrupsionit.
Në deklaratën e tij, Berisha sulmoi drejtpërdrejt kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për të cilin bëri akuza të rënda.
“Sot në Shqipëri nuk ka kriminel më të rrezikshëm se Taulant Balla”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se gjatë seancës plenare ai komunikonte përmes disa telefonave me persona të lidhur, sipas tij, me klane kriminale.
Berisha akuzoi gjithashtu Kuvendin se nuk ka legjitimitet, duke pretenduar se ka dalë nga një “farsë elektorale” dhe se është shndërruar në mburojë të asaj që ai i cilësoi si vjedhje të mëdha të qytetarëve shqiptarë.
Ai u ndal edhe te protestat e ditëve të fundit, duke vlerësuar pjesëmarrjen dhe duke shprehur bindjen se protestuesit do ta fitojnë betejën e tyre.
“Kurrë nuk ka parë bulevardi i Tiranës dhe rrugët e saj vajza dhe djem më trima se këta gjimnazistë dhe studentë”, tha Berisha.
Në përfundim, kreu i opozitës rikonfirmoi mbështetjen e Partisë Demokratike për protestuesit, duke deklaruar se partia do të qëndrojë në krah të tyre dhe do t’i mbështesë kërkesat që ata kanë ngritur.




