Ambasadori i Hungarisë Lorant Balla ka qenë në selinë blu, ku ka zhvilluar një takim me Sali Berishën, për të diskutuar rreth situatës politike në vend.

 

Në një postim në rrjetin social, Berisha shkuan se në fokus të diskutimit të tyre ka qenë vendimi i datës 3 mars, dhënë nga Gjykata e Apelit, për të cilin thotë se ishte një farsë e procesit zgjedhor.

 

Ish-kryeministri thekson më tej se folën për çështjen McGonigal dhe e siguroi se nuk do të mungojnë në zgjedhjet e 14 majit. Berisha shkruan se e falënderoi për miqësinë historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze.

 

“Me Ambasadorin diskutuam gjerësisht mbi aktualitetin e zhvillimeve politike në vend.

 

Në veçanti, e informova Ambasadorin mbi farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë. Një proces ky unik në histori gjithashtu për shkak të presionit të papranueshëm të ushtruar mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri nga kanale ekstra-politike dhe diplomatike, tërësisht në shkelje të parimeve më themelore të shtetit të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

Pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, e sigurova Ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare.

 

Gjeta rastin ta falënderoj gjithashtu në emër të Partisë Demokratike, për të gjithë miqësinë e vyer historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze, por dhe për rolin e veçantë të mikut dhe Kryeministrit Orban, në intensifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i pakursyer i Partisë Demokratike dhe kauzave tona konservatore, në promovimin e vlerave më të drejta kombëtare dhe të familjes. Takimi ishte i hapur”, shkroi Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *