Ministrat e Jashtëm te G7, ku bëjnë pjesë vendet më të industrializuara të botës, kanë rënë dakord për ngritjen e një task force që do të monitorojë ato që i quajnë “sjellje dashakeqe” të Rusisë.

 

“”Rusia duhet të ofrojë zbulimin e plotë të programit të saj të padeklaruar Novichok në OPCW në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare. Ne i bëjmë thirrje Moskës që të përmbushë detyrimet e Konventës së Armëve Kimike, si dhe përgjegjësitë e saj si anëtare e përhershme e Këshillit te Sigurimit të OKB për të mbrojtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare “, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm.

 

Shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson, ka deklaruar se aleatët janë të shqetësuar për veprimet e Moskës dhe kanë pranuar të rrisin vëmendjen ndaj Rusisë, e cila i mohon akuzat.

 

Qeveria ruse fajësohet për helmimin me agjent nervor të ish-agjentit që jetonte në Britaninë e Madhe, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.

 

Tensionet mes Perëndimit dhe Kremlinit janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit, edhe për shkak të rolit të Moskës në konfliktet në Siri dhe Ukrainë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *