Subscribe

Një histori suksesi. Kështu është vlerësuar në Irlandë ndryshimi që ka pësuar Tirana tre vitet e fundit. Në takimin e arkitektëve në Dublin, kryebashkiaku Veliaj është vlerësuar për projektin e sheshit “Skënderbej”, Pazarit te Ri dhe bulevardit.

 

“Tiranës i duhet çdo mik, dhe më vjen mirë që Irlanda, një histori suksesi se si një ekonomi totalisht rurale, me një emigracion shumë të madh, kryesisht në SHBA dhe në Angli, shumë e ngjashme me Shqipërinë, u bë një histori suksesi falë përkushtimit në integrimin në Bashkimin Europian. Shembulli i Irlandës apo i Dublinit, që ashtu si Tirana është shtëpia e 1/3 së popullsisë dhe 50% e ekonomisë së vendit, mund të jetë motor i zhvillimit dhe integrimit të vendit. Kemi nevojë dhe i meritojmë këto negociata, si mënyrë për të dëshmuar vokacionin tonë europian dhe për të vazhduar me ritme akoma më të shpejta zhvillimi.”

 

Erion Veliaj theksoi se ndryshimi i nisur në Tiranë do të vazhdojë me disa projekte të tjera si rigjallërimi i Piramidës.

 

“Ishte një kënaqësi e veçantë që prezantova disa projekte shumë cilësore të Tiranës, si transformimi i Piramidës apo Teatri i ri Kombëtar. Më në fund po e shohim Shqipërinë përtej atyre cic-miceve të vogla, në një arenë ndërkombëtare, ku shumë prej këtyre artistëve dhe arkitektëve, me krijesat arkitekturore në Tiranë, po e vënë qytetin tonë në hartë. Sa më shumë dalim përtej bahçes tonë, të zënkave të vogla, kuptojmë reputacionin që po fiton Tirana dhe Shqipëria, puna e bashkisë dhe puna e qeverisë, çka na ndihmon të fokusohemi, të ecim përpara me gjërat që na bëjnë bashkë dhe jo të përçahemi për cic-mice të vogla.”

 

Gjatë qëndrimit në Dublin, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim të veçantë edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Simon Coveney, me të cilin diskutoi edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *