Subscribe

Investimet e shumta në infrastrukturë dhe zhvillimi i Tiranës bënë që Erjon Veliaj të ishte i ftuar i nderit në edicionin e 19 të Konventës së Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë, e mbajtur në Napoli.

 

Kryebashkiaku u prit nga homologu i tij Luigi de Magistris, me të cilin diskutoi bashkëpunimin ekonomik, politik dhe social mes dy qyteteve.

 

“Napoli është i ngjashëm me Tiranën. Vite më parë ishte një vend me reputacion shumë të ulët, mbushur me plehra dhe një vend që shmangej nga turistët. Pësoi një rilindje dhe një rikuperim të kësaj energjie. Ndaj, rikuperimi i energjisë së Tiranës gjatë kohës së Edi Ramës, por më pas edhe me administratën e re, i ngjan shumë Napolit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

 

Ndërsa në fjalën para sipërmarrësve italianë, kryebashkiaku prezantoi projektet që po ndryshojnë Tiranën.

 

“Konventa e ndërtuesve dhe zhvilluesve të Italisë ishte një mënyrë fantastike për të promovuar incentivat që ka krijuar qeveria shqiptare për investitorët e huaj. Krahasuar me taksat italiane, që janë mbi 50%, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka taksat deri në 15%. Kjo do të thotë se për shumë investitorë italianë, që janë lodhur me taksat e burokracinë, Shqipëria është një vend ideal për të investuar”, tha ai.

 

Shumë prej operatorëve turistikë të hoteleve apo investitorë në fushën e ndërtimit cilësor, sipas Veliajt, e shohin Shqipërinë si një vend ideal.

 

“Vendi ynë është kompetitiv si në krahun e punës, ashtu edhe në mënyrën se si qeveria ka ofruar një paketë ideale të taksimit. Sot jemi në një situatë ku për investitorët strategjikë, të cilët investojnë në disa milionë euro, qeveria ofron një ulje të konsiderueshme të taksave. Pra, ishte një mënyrë për të prezantuar qytetin, por edhe incentivat e qeverisë për cilindo investitor që dëshiron të investojë në Tiranë”

 

Konventa e Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë përfshin rreth 20 mije kompani private, të specializuara në vepra publike, ndërtime për banesa, ndërtime tregtare, industriale, etj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *