Kryebashkiaku Erion Veliaj priti në një takim kryetarët e këshillave komunalë anëtare të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, si dhe përfaqësuesit nga komunat arbëreshe me rastin e ditës së Pavarësisë.
Ai theksoi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Sot nuk kërkohet, ashtu si Isa në vakt, që të kalojmë malet. Sot nuk kërkohet që të marrim pushkën dhe të luftojmë. Sot jemi në ditët tona më të mira, jo në ditët tona perfekte, por në ditët tona më të mira. Shqipëria është një vend që do të jetë ndoshta anëtari i ardhshëm i BE-së, Kosova është e lirë dhe e pavarur, sot kemi mundësi të lëvizim dhe të takohemi me njeri-tjetrin, mundësi që nuk i kemi pasur më përpara. Sot jemi në ditët tona më të mira, ndaj është e rëndësishme të kuptojmë nga kemi ardhur edhe të frymëzohemi ku duam që të shkojmë”, tha Veliaj.
Duke përmendur një episod nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Veliaj e cilësoi ketë moment si një shembull të qartë se progresi dhe puna për të mirën e përbashkët duhet të vazhdojnë.
“Teksa shoh kaq miq nga Kosova, duke filluar nga Përparimi në Prishtinë deri te kolegët nga Mitrovica, m’u kujtua historia e Isa Boletinit teksa rrugëtonte për në Vlorë. Është kjo historia e atyre që vendosin gjithmonë qëllimin mbi përfaqësimin personal, mbi prezencën personale, mbi ambicien personale. Dhe fakti që të gjithë delegatët e Kosovës thanë njëzëri: Vazhdoni me pavarësinë se nuk pret ajo punë derisa të vijnë të gjithë të ftuarit. Është një shembull i asaj urgjence që ne kemi për punët që nuk presin. Sot ndoshta jo të gjithë kanë pasur mundësi të vijnë, ama festa do të vazhdojë edhe për ta. Nesër ndoshta jo të thotë do të jenë të mundur për punë, por puna do të vazhdojë edhe për ta. Ndoshta pasnesër ndoshta jo të gjithë janë gati për progresin, por progresi duhet të ecë përpara, duhet të vazhdojë edhe për ta. Ju falenderoj me gjithë zemër që jeni këtu”, shtoi kryebashkiaku.
Kryebashkiaku falënderoi përfaqësuesit arbëreshë, të cilët kanë ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, teksa vuri theksin te roli kyç i Unionit të Bashkive shqiptare./vizionplus.tv





