Subscribe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mirëpriti sot në Tiranë homologët e Bashkive të Rajonit, ku diskutuan për hapjen e vendit pas pandemisë së Covid 19 dhe bashkëpunimin për t’i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit.

“Ndonjëherë krizat janë edhe në mundësi, mundësi për të na bashkuar, për të bashkëpunuar, mundësi për t’u bërë pak më të mirë, mundësi për të vlerësuar gatishmërinë e kalitjen e organizatave tona, kështu që patjetër një sfidë por edhe një mundësi”, u shpreh Veliaj gjatë fjalës së tij.

Kryebashkiaku pohoi se është i lumtur që kjo mbledhje përkon edhe me hapjen e Shqipërisë pas pandemisë.

“Kemi pasur disa ditë rresht ku i kemi pasur një shifrore numrat e të infektuarve e nëse vazhdojmë me këtë trend Shqipëria do të shkojë drejt një hapje përfundimtare. Në sheshin “Skënderbej” janë dy hapësira, një ku shkon e vaksinohesh dhe tjetra ku do të shohim Kampionatin Evropian të Futbollit. Kjo është një metaforë e adaptimit. Do duhet të jetojmë edhe me sëmundjen edhe me këtë betejë, do duhet të jetojmë edhe me rutinën e përditshme e të japim sinjale të një jete që vazhdon”, tha Veliaj.

Temat e takimit u fokusuan te rimëkëmbja ekonomike, kryesisht nëpërmjet turizmit pas pandemisë.

“Duhet të sigurohemi që mbijeton ekonomia e vendeve tona që bazohen te turizmi, ndaj edhe turi “Eja në shtëpinë tënde” ka rëndësi. Kemi idenë e skemës së kufijve të hapur për të siguruar që paratë e turizmit të mbeten në xhepat e shqiptarëve, të mbeten në strukturat turistike të qyteteve tona”, përfundoi Kryetari i Bashkisë.

Mbledhja e sotme përkoi me ditën kur përkujtohet Lidhja e Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *