Nga Blerina Cene
Gjykata e Apelit të Posaçëm shtyu për nesër vendimin për lirimin apo jo të Erion Veliajt nga burgu.
Lexo edhe :
Related Posts
Ka qenë një kërkesë e palës mbrojtëse që çoi në këtë vendim, pasi avokatët kërkuan kohë për tu njohur me provat e reja që prokurorët e çështjes i dorëzuan sot Apelit të Posaçëm.
Kështu, kryebashkiakut Erion Veliaj do t’i duhet që edhe sonte ta kalojë natën në qeli duke e çuar në një muaj qëndrimin e tij në paraburgim, ndërsa nesër në mesditë do të dalë përballë gjyqtarit, Engert Pëllumbi.
Për 7 orë e 30 minuta, palët dhanë sot argumentet pro e kundër për të hetuarin, ndërsa avokatët thanë se nuk ekzistojnë kushtet që Veliaj të qëndrojë në masën shtrënguese arrest në burg, pasi as nuk do të helmojë provat, as nuk do tentojë arratisjen.
Dy argumente këto që për gjyqtarin e shkallës së parë, Erion Bani ishin të pamjaftueshme për ta lënë të lirë kryetarin e bashkisë më të madhe në vend.
Erion Veliaj dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv dhe pastrim parash në 9 raste duke shfrytëzuar postin e tij si drejtues i bashkisë për t’i dhënë para publike shoqatave të kontrolluara nga gruaja e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit nga ana e saj, po ashtu e dyshuar për tri vepra penale, nuk e ka ankimuar masën që gjykata i ka vendosur në 12 shkurt, atë të detyrimit të paraqitjes në policinë gjyqësore, dy herë në muaj.
Nga seanca e sotme, që nisi në orën 10:00, të vetmit që kanë përfunduar mbrojtjen janë katër biznesmenët e lënë në detyrim paraqitje.
/vizionplus.tv






