Subscribe

Një shtetas spanjoll ka humbur jetën mbrëmjen e së martës në ambientet e një hoteli në Divjakë, në rrethana ende të paqarta .

 

Trupi i pajetë i 47-vjeçarit, Francesko Servia, u gjet nga shoku i tij në tualetin e dhomës ku ata qëndronin.

 

Oskar Velasko i tha policisë  se shoku i tij ishte vetëplagosur me një mjet prerës  dhe menjëherë ka njoftuar persona të tjerë që ndodheshin në hotel. Por gjatë transportimit për në spital me ambulancë 47-vjeçari ka ndërruar jetë.

 

Pas ngjarjes  41- vjeçari, Oskar Velasko, është shoqëruar nga policia dhe është marrë në pyetje. Në dëshminë e tij ai ka sqaruar se së fundmi shoku i dhomës kishte shfaqur shenja depresioni për shkak të mosmarrëveshjeve me bashkëshorten, e cila ndodhet në Spanjë. Konfliktet mes tyre ishin për shkak se burri punonte larg familjes.

 

Dy spanjollët, shokë prej 20 vitesh, kanë mbërritur në Shqipëri në datë 13 shkurt të këtij viti për të punuar si specialistë në montiminin e impianteve të vaditjes në sera.

 

Francesko Servia , ishte i punësuar me kontratë të rregullt nga një firmë spanjolle, e cila ka marrë me qira një sipërfaqe prej 40 hektarësh  në zonën e Karavastasë.

 

Ndërkohë prokuroria e Lushnjës po mbledh prova e dëshmi të tjera për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për një vetëvrasje apo për një krim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *