Familjaret e 3-vjeçarit, i cili humbi jetën tragjikisht në një kopsht privat në Fier, janë mbledhur sot përpara prokurorisë.

Nëna e të miturit, Donalda Kodheli, mes lotësh, teksa kërkon drejtësi për të birin, tregon për mediat se edukatorja i ka thënë fillimisht se djali është mirë, por që më pas ka mësuar se fëmija ka shkuar pa shenja jete në spital.

“Edukatorja më ka gënjyer, më ka marrë mua të parën në telefon më tha është mbytur me litar të bluzës, është në gjendje të mirë dhe është përmendur. Në momentin që shkova në spital, më thanë është futur në sallë të operimit, pastaj doktori më tha fëmija ka ardhur pa jetë këtu. Na thanë ka kamera sigurie, por kur shkuam nuk kishte. Djali 15 kg nuk ka mundësi të mbytej nga varësja. Kërkoj drejtësi për shpirtin e Noas tim”, tha nëna mes lotësh.

Një thirrje ka shkuar për kryeministrin Edi Rama nga daja i 3-vjeçarit.

“Kopshti sot është i hapur. Pse ka njerëz kaq të pashpirt. Nuk ka mundësi që një fëmijë të mbytet në një varëse rrobash që hiqej sa ta kapje. Zoti prokuror mendo që është një fëmijë 3-vjeçar. Zoti Kryeministër shikoje këtë çështjen tonë, besoj vetëm tek ty.”

Sipas policisë, fëmija u mbyt aksidentalisht me kapuçin e xhupit, teksa po merrte çantën e varur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *