Vasili: Në Kakavijë pamë një situatë të jashtëzakonshme, Rama ishte pushim

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili bëri me faj kryeministrin Edi Rama për kaosin e shkaktuar në Kakavijë nga radhët e gjata të qytetarëve.
Në një deklaratë për shtyp, ai tha se situata ishte e jashtëzakonshme, por shtoi se Edi Rama ishte pushim.
“Të gjithë kemi ndjekur me ankth ditët dramatike ku mijëra e mijëra vëllezër e motra tanët ishin bllokuar në Kakavijë e Kapshticë, në një vapë përvëluese për të kaluar kufirin e për t’u kthyer në Greqi. Është fare e qartë që një situatë e tillë e jashtëzakonshme, e gjeti krejtësisht të papërgatitur qeverinë shqiptare dhe në ditët e zhvillimit të kësaj situate, qeveria ishte në bisht të situatës. Kurrkush nga fjalamanët e mëdhenj të qeverisë, ministra e të tjerë, nuk po përmend kryeministrin pasi pushimet e tij janë shumë më të rëndësishme se mijëra shqiptarë që vuajnë në Kakavijë dhe patjetër që këto pushime nuk mund të preken dhe ai nuk mund të lëvizë nga vendi. Sigurisht ka qenë gjithmonë në pushim sa herë që shqiptarët kanë qenë në hall të madh. Ka qenë në bisht të situatës kur kemi pasur tërmete, kur kemi pasur përmbytje. Ka qenë në bisht të situatës kur kemi të tilla drama humanitare në kufi.”
Vasili nënvizoi se situata nuk është kapërcyer akoma. Ai tha se është e nevojshme që të përgatiten më shumë spote informative për qytetarët, të kenë mundësi ekaminimi për koronavirusin dhe madje qeveria të ofrojë tamponë falas për të gjithë.




