Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes paketës “Anti-KÇK” po tenton të shantazhojë këdo që nuk merr vendimet që do ai. Vasili u shpreh në “Facebook” se ky ligj special është një goditje që po i jepet reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi në xhepin e një polici të KÇK-së! Reforma në drejtësi dhe KÇK si model junte policore nuk ka lidhje me asnjë model demokratik perëndimor të organizimit të shtetit, ndarjes së pushteteve dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në demokraci. Kushdo, që mbron një mostër të tillë si KÇK-ja thjesht bën avokatin e shkatërrimit të shtetit ligjor, bën avokatin e Edi Ramës që ai të shantazhojë çdo gjykatës e prokuror, që nuk jep vendimet që do ai, të shantazhojë këdo që do të hetojë dhe gjykojë vetë Edi Ramën.”
Më tej, Petrit Vasili vuri në dyshim pavarësinë e KÇK, përsa kohë që drejtohet nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Opozita nuk e mirëpriti miratimin e ligjit special dhe e quajti atë antikushtetues. Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se Edi Rama nuk lufton dot subjektet KÇK sepse është vetë i lidhur me ta.





