Vajushi, supergol në serinë “B” në Itali

Armando Vajushi po përpiqet te ringrihet pas problemeve te shumta me dëmtimet ne karrierë dhe ndoshta goli i fundit i shënuar kundër Ternanes mund të jetë një pikënisje. Shkodrani që luan sezonin e dyte ne Serine B në Itali me fanellën e Pro Vercellit shënoi një supergol në humbjen 4 me 2 te ekipit te tij ne sfidën e javës së 20 në transferte, i dyti në karrierë ne ndeshjet e kampionatit me fanellën e kësaj skuadre.
Mesfushori me tipare sulmuesi realizoi në fakt një supergol që mori elozhe nga media italiane për nga mënyra e ekzekutimit. Një goditje nga këndi në minutën e 67 dhe Vajushi fluturimthi me të majtën në zonë tundi rrjetën e portierit mik, në një ndeshje të cilën ai e nisi nga stoli. 27 vjecari ka luajtur vetëm 11 here si titullar në 20 takime të deritanishme në kampionat për shkak të problemeve fizike që e kanë shoqëruar për fat të keq në vitet e fundit ku ai pas largimit nga Vllaznia ka luajtur me ekipe si Liteks në Bullgari, apo Chievo, Livorno dhe tashmë Pro Vercelli në Itali pa lënë mënjane përfaqësimet me ekipet kombëtare.




