Subscribe

Në Florida dhe Karaibe kanë nisur evakuimet masive për shkak se uragani ‘Irma’ është kthyer në një stuhi të rrezikshme e kategorisë 5, niveli më i lartë ekzistues, me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 295 km për orë. Mediat raportojnë se stuhia është në madhësinë e Francës.

 

Deri më tani mijëra persona janë zhvendosur nga zonat më të rrezikuara. Shumë shkolla janë mbyllur, rrugët janë boshatisur, ndërsa aeroportet kanë anuluar fluturimet dhe janë mbyllur në disa ishuj. Mëngjesin e sotëm, syri i uraganit i cilësuar katastrofik, u përplas në Barbuda vetëm disa orë pasi zyrtarët paralajmëruan njerëzit të kërkojnë mbrojtje nga ‘Irma’.

 

Sipas tyre, njerëzit që refuzojnë të largohen nga shtëpitë, do të jenë në rrezik të madh. Kryeministri i Bahamas theksoi se ekipet e ndihmës nuk do të  mund të jenë në gjendje për t’i ardhur në ndihme njerëzve në nevojë për shkak se uragani do të arrijë në nivelin e tij më të lartë.

 

Ndërkohë Qendra Kombëtare e Uraganeve në Amerikë tha se Irma mbërriti në ishujt e Karaibeve në verilindje, dhe mund të ndjekë një rrugë që mund ta çojë drejt Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Florida, Puerto Riko dhe në Ishujt Virgin të SHBA.

 

Pas ‘Harvey’, ku dhjetëra njerëz mbetën të vdekur, pjesë të Teksasit dhe Louisianës vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë për shkak të vërshimeve të cilat shkaktuan dëme të pallogaritshme. Ende nuk dihet sa dëme mund të shkaktojë Uragani Irma, por metereologët japin alarmin se në Atlantik është formuar një stuhi e tretë tropikale i cilësuar si “Jose” dhe mund të godasë SHBA-të Brenda javës së ardhshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *