Pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, sipas të cilit hapja e urës së Ibrit mund të rrezikojë ushtarët e NATO-s,ka ardhur edhe reagimi i KFOR. Përmes një komunikate për media, KFOR rithekson se është i pranishëm në të gjithë territorin e vendit dhe paralajmëron se nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të zhvillimeve që mund të cenojnë sigurinë.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha KFOR.
KFOR ka bërë thirrje që çdo vendim për urën të merret përmes dialogut.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhej më tej.
Në komunikatë mes tjerash thuhet se misioni do të vazhdojë të koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Ndërkohë një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutas, me të cilin diskutoi për hapjen për qarkullimin e automjeteve të urës së Ibrit. /vizionplus.tv





