Subscribe

Nafta dhe gazi do të shiten më lirë, duke nisur nga pasditja e kësaj të shtune. Sipas vendimit të bordit, një litër naftë do të tregtohet për 237 lekë, pra 6 lekë më pak sesa deri më sot.

 

Me të njëjtin nivel është ulur edhe çmimi i gazit, që do të kushtojë 100 lekë për litër. Ndërsa benzina nga ana tjetër ka pësuar një rritje me 4 lekë për litër, duke u shitur për 227 lekë.

 

Por ekspertët e fushës kanë kritika për punën e bordit, duke vënë në pah faktin se reagimi i tij me vendime ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet e huaja nuk është eficent.

DAEL DERVISHI
EKSPERT PER HIDROKARBURET

“Bordet nuk janë të shpejta, nuk reagojnë në një mënyrë aq eficente me luhatjet e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Bordet mund të mblidhen në periudha të caktuara, por nuk do të reflektonin ecurinë e çmimeve në tregje, siç reflektohet në vendet e tjera, që ndjekin direkt luhatjet në bursa dhe nuk kanë nevojë fare për borde.”

 

Për këtë arsye, sipas ekspertëve, ndërhyrja e qeverisë me borde është e sforcuar dhe e paqëndrueshme, ndaj kërkojnë që të shihet për një zgjidhje afatgjatë.

DAEL DERVISHI
EKSPERT PER HIDROKARBURET

“Duhen parë modele të tjera ekonomike, mund të marrim si shembull Maqedoninë e Veriut që ka krijuar një reformë totale në treg, duke krijuar ente rregullatore në tregun e hidrokarbureve. Kjo do të stabilizonte ofertën dhe kërkesën e tregut, përveç kësaj është i nevojshëm edhe një rishikim i mënyrës sesi tatohet nafta dhe gazi në vendin tonë.”

 

Bordi i Transparencës për tregun e hidrokarbureve u krijua në mars pasi çmimi i naftës në vendin tonë kapi shifrën rekord të 260 lekëve për litër, por vendimet e tij nuk e kanë ulur çmimin e naftës poshtë nivelit të 200 lekëve. Kritika për punën e bordit ka pasur edhe nga zëra pranë qeverisë, si Erion Braçe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *