Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha të shtunën se pret rezultate të bisedimeve që zhvilloi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se ai pret që në ditët në vijim të vendosen sanksione të reja ndaj Rusisë, por edhe që Ukraina të marrë armë të reja.

 

Kuleba tha se ishte i frustruar që NATO ka refuzuar të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, duke thënë se një gjë e tillë do të rrisë numrin e viktimave në mesin e civilëve.

 

Sekretari Blinken dhe ministri Kuleba janë takuar në kufirin midis Polonisë dhe Ukrainës të shtunën, dhe kanë biseduar për përpjekjet e Perëndimit për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të izoluar Rusinë, me shpresën që sanksionet do ta detyrojnë Moskën që t’i japë fund luftës.

 

Rusia ka nisur agresionin ushtarak ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Perëndimi është kundërpërgjigjur me sanksione të ashpra ekonomike, përfshirë edhe heqjen e disa bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i mesazheve, SWIFT.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *