Një ditë pas sulmit terrorist që tronditi Francën, mediat shkruajnë për aktin heroik të oficerit të policisë, i cili u vetëofrua për shkëmbimin e një prej pengjeve, por nuk mundi t’ia dilte pas plagëve të marra gjatë përplasjes me armë zjarri me agresorin.

 

Lajmin për vdekjen e oficerit u dha nga ministri i Brendshëm Gerard Collomb që tha se “ai dha jetën për vendin e tij”.

 

“Beltrame vdiq për vendin e tij. Franca nuk do ta harrojë kurrë heroizmin e tij, trimërinë dhe sakrificën që bëri”.

 

Presidenti Emmanuel Macron, duke e përshkruar sulmin si akt të terrorizmit islamik tha për mediat se “nënkoloneli Arnaud Beltrame, 45 vjeç, ra si hero dhe tregoi një kurajo të jashtëzakonshme”.

 

Oficeri i policisë franceze u vetëofrua për t’i dhënë fund sulmit terrorist në një supermarket në jug të Francës, ku fatkeqësisht 3 të pafajshëm u qëlluan për vdekje, 16 të tjerë u plagosën, ndërsa agresori u vra nga policia.

 

Terroristi, i identifikuar si Redouane Lakdim, 25-vjeç me origjinë marokene, i armatosur deri në dhëmbë, kishte kërkuar lirimin e Salah Abdeslamit, të dyshuarit më të rëndësishëm të mbetur gjallë nga sulmet e 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona të pafajshëm.

 

Policia ndërkohë ka vënë në pranga një grua mbrëmjen e së premtes, e cila besohet se është partnerja e agresorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *