Ish-kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, u lirua nga paraburgimi një ditë pas arrestimit të tij për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian.

 

Borisov deklaroi se prangosja e tij ishte bërë në mënyrë të paligjshme, pasi autoritetet nuk kishin prova të mjaftueshme.

 

BOJKO BORISOV

ISH KRYEMINISTËR, BULLGARI

 

“Ata erdhën në shtëpinë time ndërsa ne ishim duke darkuar. Gjatë kontrollit të shtëpisë, autoritetet  nuk gjetën asgjë dhe kur mendova se po largoheshin, më thanë: ‘Duhet të të arrestojmë’. Ishte brutale dhe e neveritshme. Jemi kthyer në kohën e komunizmit”

 

Kreu i partisë më të madhe opozitare “Gerb” ka paralajmëruar se do të dorëzojnë në kuvend një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Borisov pretendon  se arrestimi i tij erdhi pas një urdhri të kryeministrit aktual, Kiril Petkov  dhe jo nga prokuroria publike evropiane, siç ishte njoftuar nga ministria e brendshme.

 

I menjëhershëm ishte reagimi i Petkov, i cilin në një konferencë për shtyp ka akuzuar prokurorinë.

 

KIRIL PETKOV

KRYEMINISTËR, BULLGAR

 

“Në Bullgari nuk ka një prokurori të pavarur. Organet e akuzës po sillen sërish si avokate kur bëhet fjalë për zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Informacionet e marra nga personi i dyshuar fshihen dhe shpërfillen vetëm për të mos kryer një hetim me ligj. Informacion që tashmë është në dispozicion dhe të Prokurorisë Publike Evropiane.”

 

Së bashku me Borisov janë liruar nga paraburgimi edhe ish-ministri i financave, ish-zëdhënësja e qeverisë si dhe ish-kryetarja e komisionit parlamentar të buxhetit dhe financave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *