Subscribe

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka denoncuar sot transferimin e qytetarëve nga një bashki në tjetrën, në prag të zgjedhjeve për të favorizuar kandidatët e mazhorancës socialiste.

 

Gjatë një deklarate për median, Berisha tha se qytetarë të ndryshëm janë zhvendosur në Tiranë, edhe pse jetojnë diku tjetër, për të votuar kryebashkiakun Erion Veliaj, një strategji që sipas Berishës është përdorur në çdo bashki.

 

Sali Berisha

 

“Në farsën e turpshme elektorale maj 2023 u përdorën gjerësit fantazmat e zgjedhësve shëtitës, apo zgjedhës që votonin në dy apo ndofta dhe në tre qendra votimi dhe gjithçka do vërtetohet, ne do i shkojmë gjer në fund kësaj batërdie, kësaj farse të shëmtuar elektorale.”

 

Këtij fenomeni, sipas Berishës, i shtohet edhe ndryshimi i qendrës së votimit për mijëra qytetarë të tjerë, të cilët nuk mund të votonin në 14 maj, pasi nuk e gjenin qendrën e tyre.

 

“Manovra me listat e zgjedhësve është bërë së pari me përjashtimin e mbi 180 mijë zgjedhësve nga votimi, duke ua ndryshuar nga qendrat e votimit nga Prrenjasi në Tiranë, nga Pogradeci në Lushnjë, nga Tirana në Tropojë”

 

Edhe pse kanë kaluar dy javë nga humbja e zgjedhjeve, fokusi i opozitës mbetet denoncimi i parregullsive në zgjedhje dhe ende nuk ka një datë, se kur do të nisë analiza për rezultatin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *