Dy raste kriminale janë goditur nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh në kuadër të dy fazave të tjera të operacionit të koduar “Siguria”, ku një shtetas suedez është arrestuar pasi u kap duke lëvizur me armë zjarri, ndërsa është parandaluar edhe vjedhja e një kasaforte murale.
Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve të intensifikuara, bashkëpunimit me qytetarët dhe punës informative, policia arrestoi në flagrancë shtetasin suedez O. K., 29 vjeç. Gjatë kontrollit në çantën marsup që mbante me vete, iu gjet një armë zjarri, pistoletë, së bashku me karikatorin e mbushur me fishekë. Arma dhe municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në një tjetër rast, policia parandaloi vjedhjen e një kasaforte murale. Në afërsi të banesës ku ishte vendosur kasaforta, u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 24 vjeç, i dyshuar si një nga autorët e tentativës për vjedhje.
Nga veprimet hetimore të kryera pas ngjarjes, policia identifikoi edhe dy bashkëpunëtorët e dyshuar të tij, shtetasit V. K., 38 vjeç dhe S. I., 26 vjeç. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë i mundur ndalimi i V. K., ndërsa vijon puna për kapjen e S. I.
Policia e Shtetit bën me dije se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë me intensitet, në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë, veçanërisht gjatë sezonit turistik.





