Shqetësimet për tensionet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e forcave të jashtme në këtë pjesë të Europës, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk i paraqiti edhe gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin Europian. Tusk dha sqarime për takimin e 9 marsit te Këshillit Europian, ku liderët shprehën mbështetje të qartë për perspektivën europiane të rajonit, duke shpresuar të njëjtën gjë edhe nga eurodeputetët.
“Ne diskutuam për situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor. Ishte e qartë për të gjthë se forca brenda dhe jashtë tij po punojnë fuqishëm, që të destabilizojnë rajonin. Kjo është arsyeja, që liderët e BE-se konfirmuan mbështetjen e tyre të qartë për këtë rajon dhe perspektivën e tij europiane. Ne shprehëm gjithashtu mbështetjen e plotë për të mbështetur reformat e orientuara drejt BE-së dhe projektet në vazhdim. BE i mbetet besnik premtimit të bërë në Selanikl dhe është i angazhuar plotësisht për stabilitetin e rajonit dhe prosperitetin e tij. Shpresoj se ky sinjal pozitiv nga Europa do të dëgjohet”.
Por Tusk nuk la pa përmendur as konfliktin më të ri mes Turqisë dhe Holandës dhe qëndrimin e presidentit Erdoan, që e ka akuzuar Holandën si naziste.
“Holanda është Europë dhe sot dua të them se Europa është Holanda, një vend lirie dhe demokracie. Dhe sigurisht Roterdami, qyteti i Erazmusit, i shkatërruar brutalisht nga nazistë, që sot ka një kryetar bashkie të lindur në Marok. Nëse dikush sheh fashizëm në Roterdam, ata janë të shkëputur plotësisht nga realiteti”.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, që deklaroi përpara eurodeputetëve se ishte i skandalizuar nga komentet e qeverisë turke, që e kanë larguar edhe më tej atë nga rruga për t’u berë anëtare e BE.





