E diel, 15 Nëntor 2026 Kartonat e Mengjesit deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Megi dhe Bianka Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Turqia dhe Armenia bëjnë hapa drejt normalizimit të raporteve

Turqia dhe Armenia kanë njoftuar se do të emërojnë të dërguar të posaçëm, të cilët do të punojnë për përmirësimin e raporteve, që janë të tensionuara për dekada të tëra.

 

Ankaraja dhe Jerevani nuk kanë pasur asnjëherë raporte zyrtare diplomatike. Turqia, një aleate kyçe e Azerbajxhanit, shtet ku flitet turqishtja, e ka mbyllur kufirin me Armeninë që prej viteve të 90-ta, për shkak të, siç ka thënë, okupimit të Nagorno-Karabakut me rrethinë nga Armenia.

 

Reklamë

Tensionet janë rritur ndër vite për Nagorno-Karabakun, një rajon me popullsi etnike armene, por që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Ky rajon ishte shkëputur nga Azerbajxhani në fillim të viteve të 90-ta.

 

Në vjeshtën e vitit 2020, Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë gjashtëjavore në këtë rajon të diskutueshëm, luftë që u mori jetën mbi 6,500 personave. Konflikti përfundoi pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia, sipas të cilës, armenët kthyen kontrollin e territoreve që i kishin pasur për vite tek Azerbajxhani.

 

Pasi tensionet kanë vazhduar ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, me luftime sporadike, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev pritet të takohen në Bruksel më 14 dhjetor, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

 

Armenia është e gatshme për procesin e normalizimit të raporteve me Turqinë “pa kushte”, tha më 14 dhjetor zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme armene, Vahan Hunanian.

 

Hunanian konfirmoi se Jerevani do të emërojë një përfaqësues të posaçëm për normalizimin e raporteve me Turqinë. Ky njoftim erdhi një ditë pasi një njoftim të ngjashëm e bëri edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

 

“Dy shtetet respektive do të caktojnë përfaqësues për normalizim”, tha Cavusoglu para ligjvënësve turq, duke shtuar se “ne do të nisim fluturimet direkte Jerevan-Stamboll në të ardhmen”.

 

Nagorno-Karabaku, i populluar kryesisht me armenë, shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani, pas luftës së viteve 1988-94, ku u vranë 30,000 persona dhe u zhvendosën qindra mijëra të tjerë.

 

Armenia dhe Turqia kishin nënshkruar një marrëveshje më 2009 për normalizimin e raporteve, që kishte për qëllim hapjen e kufirit ndërmjet dy shteteve, por kjo marrëveshje nuk u ratifikua kurrë.

 

Raportet mes Turqisë dhe Armenisë janë të tensionuara që prej vrasjes masive dhe dëbimit të armenëve nga otomanët turq, në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Armenia insiston se masakra është gjenocid, por Turqia e refuzon një pretendim të tillë./R.E.L

Vazhdo të lexosh

Reklamë