Erdhi vetëm për të marrë pjesë në projektin e ndërtimit të Rrugës së Kombit në vitin 2007, por nuk u largua më që atëherë. Hikmet Sinan, një inxhinier minierash nga Turqia, vendosi të zhvendosej përfundimisht në Shqipëri.
“Unë kam ardhur në Shqipëri në vitin 2007 për projektin e Rrugës së Kombit. Kompania ku punoja mori pjesë si furnitore e lëndëve plasëse dhe në shërbimin e plasjes. Që nga ajo kohë kam qëndruar në Shqipëri dhe nuk jam larguar”, tha Hikmet Sinan, inxhinier minierash
Që prej asaj kohe, Hikmeti thotë se ka marrë pjesë në një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore në vend. Ndër më të kryesoret që pritet të realizojë është edhe tuneli i Librazhdit, pjesë e Korridorit VIII.
“Kemi marrë pjesë në shumë projekte të rëndësishme, duke nisur nga Rruga e Kombit. Kemi furnizuar me lëndë plasëse Rrugën e Arbrit, tunelin e Skarficës, tunelin e Llogarasë. Për tunelin e Librazhdit ende nuk ka nisur furnizimi, por do të jemi pjesë e tij”, shtoi Sinan.
Ai shprehet se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë ndihmuar në sigurimin e lëndëve plasëse, pasi Turqia është furnizuesi kryesor për këtë sektor.
“Ne importojmë lëndën e gatshme kryesisht nga Turqia, duke përfituar teknologjinë më të fundit që aplikohet atje. Ka një partneritet të ngushtë mes Turqisë dhe Shqipërisë. Vitet e fundit kemi filluar edhe eksportet, duke shfrytëzuar Shqipërinë si pikë qendrore për tregjet e rajonit, si Kosova apo Bosnja”, tha Sinan.
Hikmeti thekson se zhvillimi i Shqipërisë ndër vite ka qenë arsyeja kryesore që vendosi të mos kthehej më në Turqi. Sipas tij, vendi ofron një ambient miqësor për të punuar dhe për të ndërtuar një biznes afatgjatë./vizionplus.tv





