Gjiri i Vlorës mbetet një destinacion turistik tërheqës për vizitorët vendas e të huaj që frekuentojnë qytetin këto ditë të fund prillit e që zgjedhin të lëvizin edhe me mjete lundruese si gomone apo skafe.
Rritja e temperaturave ka bërë që turistët të eksplorojnë Karaburunin, kryesisht tek Gjiri i Xhapovelës, Gjiri i Shën Janit dhe Gjiri i Shën Vasilit.
“Jemi nga Holanda. Ndihemi shumë mirë këtu këto ditë të prillit kur temperaturat shënojnë 22 gradë. Kënaqësi që këtu ku ka një kombinim fantastik të malit dhe detit. Unë jam i privilegjuar se këtu jam me familjen time. Ne na mungon një mot i tillë dhe jemi duke shijuar pasi çdo gjë është fantastike”.
“Vij nga Dublini, jam mjeke dhe leja e pushimeve më ra në muajin Prill, dhe direkt zgjodha teë vija në Vlorë. Bëra preontimet dhe ja ku jam, më pëlqen shume dhe sigurisht do e rekomandoja”.
“Vij nga Nigeria, dhe për ne është një vend i zgjedhur sepse procedurat për vizë janë më të thjeshta për hyrje duke krahasuar me vende të tjera. Për më tepër, natyra juaj është shumë e bukur dhe sidomos në këtë muaj ku fluksi s’ka filluar dhe të shijosh çdo gjë në kuptimin e plotë të saj.”
“Edhe unë jam nga Nigeria. Jam duke shijuar Shqipërinë shumë, deti është shumë blu, që s’e kam parë ndonjëherë, dhe sidomos kjo periudhë kur s’ka shumë njerëz të bën ta pëlqesh në çdo aspekt”.
Plazhet e vogla në gadishullin e Karaburunit janë bërë një destinacion që po preferohet gjithnjë e më shumë nga turistët, edhe pse atje mungon infrastruktura e plotë akomoduese.





