Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi zyrtarisht pezullimin 90-ditor të tarifave të reja mbi importet nga të gjitha vendet, përveç Kinës.
Ky vendim, i marrë pas 10 ditësh të tensionuara në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, shënoi një hap strategjik që synon të qetësojë pasigurinë në tregjet globale.
Trump tha se pezullimi 90 ditor i tarifave ndaj 75 vendeve të botës erdhi pasi ata kanë bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me zyrtarët amerikanë, ndryshe nga Kina.
“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm. Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme”, tha Trump.
Kina kishte rritur tarifat ndaj SHBA-së nga 34 në 84% një ditë më parë kur hyri në fuqi vala e dytë e tarifave amerikane.
Nga ana tjetër liderët evropianë shprehën kënaqësi për masën e ndërmarrë nga SHBA. Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian tha se ky vendim ështën një mundësi për të nisur negociatat pëe të arritur një marrëveshje pa tarifa, duke synuar kështu stabilizimin e ekonomisë globale.
Tregjet financiare, janë riktheyr sot me një performancë të fuqishme me rritjen më të konsiderueshme në më shumë se një dekadë. Por megjithatë, pasiguria mbetet e madhe./vizionplus.tv





