Në javët e fundit, debate të forta dhe deklarata të ashpra kanë ndezur një klimë të tensionuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk. Konflikti mes tyre ka marrë vëmendjen e mediave dhe opinionit publik, duke u kthyer në një prej polemikave më të nxehta në skenën politike dhe teknologjike amerikane.
Tensioni arriti kulmin kur Trump bëri një deklaratë të fortë, duke paralajmëruar se Elon Musk do të përballet me “pasoja të rënda” nëse financon demokratët, pasi shpenzoi gati 300 milionë dollarë në mbështetje të rizgjedhjes së Trump vitin e kaluar. Ndërsa është pyetur nëse ka ndonjë mundësi për të rregulluar marrëdhëniet me Musk, ai u përgjigj “JO”, ndërsa theksoi se marrëdhënia e tyre ka mbaruar tashmë.
“Jam shumë i zënë duke bërë gjëra të tjera, nuk kam ndërmend të flas me të,” shtoi ai.
Më herët, një deklaratë e Musk trazoi rrjetin, ndërsa thoshte në një postim se Trump është në listën e Jeffrey Epstein, të cilin më pas e fshiu.
Trump, administrata e të cilit premtoi të publikonte dosjet Epstein, ka hedhur poshtë akuzat e Musk, duke u thënë gazetarëve se ai kishte “humbur toruan”.
Një financues me ndikim në SHBA, Epstein u vu nën shqyrtim të rëndësishëm publik pasi u akuzua për abuzim seksual me dhjetëra vajza të mitura në fillim të viteve 2000.
Sakaq, përplasja mes Musk dhe presidentit amerikan po shkakton kaos në NASA, duke e futur agjencinë hapësinore amerikane në atë që ekspertët po e quajnë “kriza më e madhe në historinë e saj”.
Buxheti i ri i propozuar nga Shtëpia e Bardhë parashikon shkurtime drastike për NASA-n, ku thuajse gjysma e projekteve shkencore janë në rrezik të anulimit. Rreth 40 misione, disa aktive në hapësirë dhe të tjerë në zhvillim, mund të ndërpriten.
Në qendër të krizës qëndron kërcënimi i presidentit Trump për të tërhequr kontratat federale me kompaninë SpaceX të Elon Musk. NASA mbështetet te raketat Falcon 9 të SpaceX për furnizimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, ndërsa ka plane që të përdorë raketën Starship për misione në Hënë dhe Mars.
/vizionplus.tv





