Trump, mesazh Kinës: Pekini të ushtrojë presion mbi Phenianin

Presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se me apo pa Kinën, SHBA do ta zgjidhë problemin e kërcënimit bërthamor, që vjen nga Koreja e Veriut.
Nëse Kina nuk ushtron presion ndaj Phenianit, Uahingtoni do të veprojnë i vetëm. “Kina do të vendosë për të na ndihmuar ose jo. Nëse kjo ndodh, do të jetë shumë mirë për Kinën, por nëse kjo nuk ndodh, nuk do të jetë mirë për askënd”, është shprehur shefi i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për gazetën “Financial Times”.
Trump madje është i bindur se do të ketë sukses. Kina, aleatja kryesore dhe me ndikim në Korenë e Veriut, nuk ka reaguar ende për komentet e presidentit. Këtë javë presidenti amerikan do të takohet në Florida me homologun kinez Xi Jinping, një takim i rëndësishëm, pasi ekziston frika se Pheniani mund të prodhojë raketa, që mund të arrijnë në territorin amerikan.
Edhe pse Kombet e Bashkuara dhe disa vende kanë vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut, nuk vihet re tërheqje e Koresë së Veriut nga testet bërthamore.




