Ndërsa kanë mbetur pesë ditë nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, kandidatja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan, Donald Trump, kanë intensifikuar takimet dhe sulmet e ndërsjella.
Në fjalën e saj gjatë ndalesës në Arizona kandidatja e demokratëve Kamala Harris e vuri theksin te të drejtat e grave që sipas saj kundërshtari i saj politik Donald Trump nuk i kupton.
“Kjo nuk është hera e parë që ai na tregon se kush është Donald Trump, nuk beson se gratë duhet të marrin vendime për trupat e tyre. Ai thjesht nuk respekton liritë e grave dhe inteligjencën e tyre, për të ditur se çfarë është e mirë ose jo për to”, tha Harris.
Ndërsa Donald Trump i premtoi një të ardhme më të mirë tubuesve në Nevada.
“Duhet të dilni dhe të votoni. Të martën, duhet të ngriheni në këmbë dhe t’i tregoni Kamalës që humbi. Nuk mund të duroni më. Ajo është e tmerrshme.. Kufiri është në gjendjen më të keqe në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë do t’ju mbroj nga emigrantët që vijnë dhe nga vendet e huaja që duan të na godasin me raketa”, tha Trump.
Demokratja Harris dhe republikani Trump janë në një garë të ngushtë, ndërsa në ditët e fundit po përpiqen t’i bëjnë për vete ata që mund të jenë ende të pavendosur dhe për të mobilizuar pjesëmarrjen në votime. /vizionplus.tv





