Tronditje te Bayern, Kompany humb ndjenjat pas stërvitjes

Shqetësim te Bayern Munich për gjendjen shëndetësore të trajnerit Vincent Kompany. Tekniku belg është dërguar me urgjencë në një spital të Mynihut, pasi dyshohet se është rrëzuar në ambientet stërvitore të klubit, pas përfundimit të seancës së ekipit të parë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, 40-vjeçari është ndjerë keq teksa do të ndiqte stërvitjen e skuadrës së dytë të Bayern. Në kompleksin stërvitor është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës, ndërsa trajneri është transportuar me ambulancë drejt spitalit.
Kompany kishte pasur probleme shëndetësore edhe gjatë ditëve të fundit, për shkak të një infeksioni viral që i kishte shkaktuar dobësi dhe dhimbje. Ai kishte pranuar pas ndeshjes me Arsenalin se nuk e kishte dëgjuar mjaftueshëm trupin e tij dhe kishte vazhduar aktivitetin pavarësisht gjendjes jo të mirë.
Deri në raportimet e fundit, Bayern Munich nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për shkakun e saktë të incidentit apo gjendjen aktuale të trajnerit. Situata mbetet në pritje të informacioneve të mëtejshme.




