Gjithnjë e më shumë, tregu i punës në Shqipëri po kërkon me teper zanatçinj sesa ata që ndjekin shkollën e lartë, duke bërë që edhe të rinjtë të ndjekin degët qe garantojne punesim te shepejte dhe nje page te kenaqshme.
“Në vende si Shqipëria, ku kërkesa është më e lartë për forcë pune sesa për mendje pune, dhe ku sot një kuzhinier merr trefishin e pagës së një inxhinieri, prishja e piramidës së pagave demotivon dhe zhgënjen profesionistët me arsim të lartë,” shprehet eksperti i punësimit, Erjon Muça.
Tashmë nuk është më tabu fakti që te rinjte që po emigrojnë jashtë vendit janë kryesisht persona me arsim të lartë, ndërsa më një shkollë profesionale janë pozicionuar më mirë në treg. Kërkesa për ta, për shkak të zhvillimit të sektorëve si ndërtimi dhe turizmi, mbetet e lartë, duke sjellë edhe rritje të ndjeshme të ardhurave.
“Tendenca e viteve të fundit është pikërisht kjo, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve po e shohin zanatin më afër vetes, për shkak të interesit ekonomik. Këtë e tregojnë edhe regjistrimet e nxënësve dhe studentëve në shkollat profesionale, ku trendi është rritje vjetore me 40–45%,” shton Muça.
Megjithëse kërkesa e të rinjve shqiptarë për arsim professional po rritet, tregu vijon të kërkojë më shumë punonjës, duke rritur ndjeshëm importimin e fuqisë punëtore nga vendet e treta.
“Sektorët që kërkojnë më shumë punonjës në këtë periudhë janë ndërtimi dhe më pas hoteleri-turizmi, pasi po përgatiten për sezonin veror. Aktualisht kërkesa është më e lartë për profesione në ndërtim, si hekurlidhës, armaturistë dhe mobilieri,” shprehet Arlind Kurti.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, aktualisht janë të listuara mbi 6 mijë vende të lira pune qe kryesisht kërkojnë me shume fuqi krahu se sa “kompjuterike”./vizionplus.tv





