Sinjalet që vijnë nga agjentët e shitjes së pasurive të patundshme janë se tregu ka nisur të “ftohet”. Arsyet e ngadalësimit mund të jenë disa, por rritja e ndjeshme e çmimeve në dy vitet e fundit, sidomos në Tiranë, ka sjellë një stepje të qytetarëve për të blerë. Sipas të dhënave çmimet e pronave në Tiranë u rritën me shpejtësi dhe tashmë kanë arritur një nivel tavan ku nuk pritet rritje të mëtjeshme.
“Tregu i rishitjes ka qenë në vështirësitë e veta dhe arsyet kryesore janë që për dy vite me radhë janë njoftuar lajmet për dy fushata që njoftohen në kohë dhe konkretizohen pas disa muajsh. Nga ana tjetër çmimet në Tiranë u rritën me shpejtësi nga ndërtuesit. Kemi këshilluar që nuk ka më vend për rritje dhe tregu nuk pritet të ketë më rritje dyshifrore. Një tjetër rritje e çmimeve ka ardhur nga rritjet e papritura të referencës siç ndodhi me Tiranën, e cila duke patur parasysh që 70% e aktiviteti është në Tiranë. Prandaj shikojmë këto lloj dinamikash dhe duhet të presim rreth dy vite për të parë se si do vijojë. Ne kemi thënë që Tirana është në pjekurinë e duhur për çmimet, duhet të presim vetëm indeksim apo ulje të çmimeve“-tha Reinaldo Pipiria drejtor i shoqatës së agjentëve të pasurive të patundshme.
Por a presim që edhe pronat në zonat bregdetare do të pësojnë rritje çmimesh me të njejtin trend si ato në kryeqytet, pas zyrtarizimit të çmimeve të referencës?
Nuk mendojmë se bregdeti do të ketë të njëjtin fenomen.
Paralelisht me këtë situatë agjentët e pasurive të patundshme thonë se pjesë e rivlerësimit të pasurive duhet të jenë edhe kontratat e porosive, pasi me to do të krijohet ide më e qartë e dinamikës së tregut të pronave në vend.
“Jemi pro që të rivlerësohen edhe toka banesa në legalizim dhe kontrata porosie dhe kjo do të sillte formalizim të plotë dhe një infomacion të plotë të tregut. Një fushatë rivlerësimi që përfshin dhe kontratat e porosisë do të na jepte një ide më të qartë të dinamikës dhe madhësisë të real estate”.
Nga 1 janari 2026 pritet të nisë fushata e pestë e rivlerësimit të pronave me një tatim 5% dhe do të zgjasë 9 muaj.
/vizionplus.tv





