Policia e Tiranës ka arrestuar Elvis Shkambin, xhaxhain e tij Gjon Shkambi dhe rojen e sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj në lidhje me ngjarjen shokuese ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj.
Në përfundim të seancës Apel, sapo gjyqtari i ndjerë lexoi vendimin. 30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri tre herë ndaj gjyqtarit Kalaja pasi lexoi vendimin në lidhje me godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”. 30-vjeçari Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar me tre plumba Astrit Kalanë, dy plumba e prekën në kraharor dhe një në pjesën e barkut, plagë që rezultuan fatale për gjyqtarin 60-vjeçar.
Në dëshminë e tij përpara hetuesve i riu ka pranuar krimin e rëndë duke thënë se i kishte ardhur në majë të hundës proceset gjyqësore. Sipas tij nuk e kishte menduar për vrasjen, por vendosi që të qëllonte drejt gjyqtarit pas vendimit për pronën që pretendon ai dhe familja Shkambi.
Elvis Shkambi akuzohet për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “armëmbatje pa leje”. Xhaxhi i tij ndërkohë akuzohet për “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim. Ndërsa ndaj rojese së gjykatës rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.
Referuar dinamikës së ngjarjes, policia shton se 30-vjeçari dhe xhaxhai i tij kanë qëndruar në hollin e pritjes deri në orën 15:29 minuta dhe më pas janë futur brenda sallës së gjyqit. Në orën 15:35, në momentin që gjyqtari Kalaja ka shpallur vendimin, Elvisi ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar tre herë drejt gjyqtarit. Më pas, ai ka drejtuar armën ndaj babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, me të cilët ishin në konflikt për pronën duke i plagosur.
Pas krimit të rëndë i riu ka dalë bashkë me Gjon Shkambi ku i ka lënë pistoletën rojes dhe në oborrin e gjykatës i ka bërë me dorë efektivëve të policisë duke i thënë se sapo kishte vrarë gjyqtarin. Fill pas këtij momenti atij iu vendosen prangat.
Konflikti për pronën nisi në vitin 1992 ku Gjon Shkambi dhe familjarët e tij pretendojnë se toka ku është ndërtuar shkolla Rezervave Shtetërore është pronë e tyre dhe për këtë i referohen edhe vendimit të shkallës së parë. Ky vendim ishte shkak për përplasjet prej vitesh mes familjes Shkambi dhe 32 familjeve që ishin strehuar në këtë godinë.
/vizionplus.tv





