Fshati Gryksh i Madh i Peqinit është zhytur në zi pas tragjedisë së rëndë që goditi një familje nga ky komunitet, e cila humbi jetën në Itali.
Lajmi i hidhur ka tronditur banorët, ndërsa dhimbja ndihet në çdo shtëpi e në çdo rrugicë të fshatit.
Fqinjët rrëfejnë mes dhimbjesh se familja ishte emigruese prej rreth tre vitesh në Itali.
Më herët kishin qenë në Greqi për punë sezonale, gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë. “Këto janë plagët e emigrimit”, shprehen ata, duke theksuar sakrificat e panumërta dhe rrugëtimin e vështirë larg atdheut.
Sipas tyre, kujtimet janë ende të freskëta. Ata ishin parë për festën e ndërrimit të viteve, kishin ndarë urime, buzëqeshje dhe shpresa për të ardhmen. Sot, ato kujtime janë kthyer në plagë të hapura.Tragjedia e rëndë ka tronditur njëkohësisht Italinë dhe Shqipërinë. Në zonën e Luccas, katër anëtarë të familjes shqiptare, Arti Kola, Jonida Kola, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola, humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit nga kaldaja.
Ata u gjetën pa shenja jete në momentin kur karabinierët hynë me forcë në banesë./vizionplus.tv





