Tragjedi në sport, 17-vjeçarja humb jetën pasi u godit në kokë gjatë ndeshjes

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sportin francez. Cléa Menier, vetëm 17 vjeçe, lojtare e klubit të regbit Union du Bassin Marmandais, ka ndërruar jetë pas një incidenti të ndodhur gjatë një ndeshjeje.
Ngjarja ndodhi të shtunën, gjatë përballjes së skuadrës së saj me Agen. Sipas raportimeve, e reja pësoi një goditje në kokë, pas së cilës pësoi një arrest kardioqarkullues. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.
Lajmi u bë publik vetëm të mërkurën, duke shkaktuar trishtim të madh në komunitetin e regbit francez. Edhe Federata Franceze e Regbisë shprehu ngushëllimet për humbjen e sportistes së re.
Klubi i saj reagoi me një mesazh prekës, duke shprehur dhimbjen e thellë për këtë humbje të parakohshme dhe duke u solidarizuar me familjen e saj, shoqet e skuadrës dhe të gjithë ata që e kanë njohur.
“Jemi të tronditur dhe të zhytur në një trishtim të thellë”, thuhet në reagimin e klubit, i cili theksoi se mendimet e para shkojnë për prindërit e Cléa-s, Cécile dhe Johann, vëllain Clément dhe motrën Coline, e cila është gjithashtu pjesë e klubit.
“Ky është një moment i tmerrshëm për klubin tonë. Do ta përballojmë së bashku, të bashkuar dhe solidarë, duke u kujdesur për njëri-tjetrin”, thuhet më tej në mesazh.
Vdekja e 17-vjeçares ka lënë në zi familjen, bashkëlojtarët dhe komunitetin sportiv, ndërsa ngjarja rikthen vëmendjen te rreziqet e dëmtimeve të rënda gjatë sporteve me kontakt fizik.




