Tragjedi në SHBA, rrëzohet avioni, nuk ka të mbijetuar

Gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë të moshës 8 dhe 10 vjeç, kanë humbur jetën pasi një avion i vogël u rrëzua në brigjet e Misisipit, në SHBA.
Lajmi u konfirmua nga Roja Bregdetare amerikane, e cila bëri të ditur se trupat e pajetë u gjetën nga zhytësit brenda trupit të avionit. Viktimat janë katër të rritur dhe dy fëmijë.
Sipas të dhënave të faqes së gjurmimit të fluturimeve FlightAware, kontrolli i trafikut ajror humbi kontaktin me avionin rreth orës 15:45, sipas orës lokale.
Mjeti fluturues u rrëzua në Gjirin e Meksikës, në zonën detare mes Pascagoula dhe ishullit Horn.
Menjëherë pas incidentit, ekipet e shpëtimit nisën kërkimet, të cilat zgjatën disa orë. Fillimisht, në sipërfaqen e ujit u gjetën vetëm tre jelekë shpëtimi, një gomone dhe kabina e avionit.
Pas kërkimeve, zhytësit arritën të lokalizonin trupat e gjashtë personave brenda avionit.
Nuk dihet ende shkaku i rrëzimit të avionit.




