Pas një hetimi pesëvjeçar mbi abuzimin seksual në Australi, raporti përfundimtar nxjerr në dritë të dhëna që flasin për një dështim të thellë të autoriteteve për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi seksual.

 

“Dhjetëra mijëra fëmijë janë abuzuar seksualisht në shumë institucione australiane. Numrin e vërtetë nuk do ta zbulojmë kurrë. Nuk bëhet fjalë për disa mollë të kalbura, por për institucionet kryesore të shoqërisë që kanë dështuar bindshëm”, shkruhet në raport.

 

Komisioni mbretëror australian, forma më e lartë e hetimit publik, pasi dëgjoi dëshmitë e më shumë se 8 000 viktimave të abuzuara doli në përfundimin se Institucionet e akuzuara janë të njëjtat: kisha, shkollat dhe klubet sportive. Priftërinjtë dhe mësuesit e shkollave ishin ata që akuzoheshin më shpesh dhe numri më i madh i tyre ishte në institucione katolike.

 

Kryeministri australian Malcom Turnbull tha se raporti paraqet një tragjedi kombëtare për Australinë dhe se propozimet qe dalin nga raporti do të konsiderohen nga ligjvënësit. Që prej vitit 2013, komisioni mbretëror i ka referuar më shumë se 2500 raste policisë dhe mes më shumë se 400 rekomandimeve, i bën thirrje Kishës Katolike që të bëjë vullnetare beqarinë tek priftërinjtë dhe të rishikojë rregullat e rrëfimit kur bëhet fjalë për abuzime me fëmijët. Por përfaqësuesit e Kishës Katolike për Australinë thanë se kjo nuk do të ndodhë kurrë, pasi beqaria e klerit dhe shenjtëria e rrëfimit janë të pashkelshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *